Policia e Kosovës ka publikuar detaje zyrtare lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi sot rreth orës 14:05 në fshatin Treboviq të Pejës, ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i artistit të njohur dhe fituesit të “Big Brother VIP 4”, Gjesti.
Sipas njoftimit zyrtar, aksidenti ka ndodhur pasi shoferi i një motoçiklete dyshohet se ka humbur kontrollin në një kthesë gjatë tentativës për të përballuar një automjet tjetër. Ai ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës, ku ka goditur një veturë që po lëvizte në drejtim të kundërt.
“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur, derisa drejtuesi i motoçikletës pasi humb kontrollin në një kthesë (i dyshuar) gjatë përballkalimit, kalon në shiritin e kundërt të rrugës, me ç’rast e godet veturën e cila ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes viktima është konfirmuar nga ekipi mjekësor. Një person tjetër është lënduar dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po merr trajtim mjekësor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë duke vazhduar.