mbytja ne dddAksidenti i paralajmëruar


Përmbyset rimorkio që kalonte pasagjerët nga njëra anë e lumit në tjetrën, mbyten dy gra


Devoll, Mirela dhe Elena Zylfi do të shkonin në një funeral


Gëzim Ashimi


Një aksident i paralajmëruar, me pasojë vdekjen e dy grave, ka ndodhur në fshatin Bracanj në Devoll. Viktimat janë Mirela dhe Elena Zylfi, përkatësisht 35 dhe 29 vjeçe, të dyja nëna të 5 fëmijëve të mitur. Ato ndodheshin në një rimorkio së bashku me 18 persona të tjerë dhe po tentonin të kalonin lumin Devoll. Rimorkio tërhiqej nga një traktor me goma që përdorej shpesh për të ndihmuar njerëzit të lëviznin në të dyja anët e lumit në të cilin mungon ura. Të 20 personat ishin duke shkuar paraditen e së shtunës në një funeral në anën tjetër të lumit, kur rimorkio ka rënë në një gropë të hapur në shtratin e lumit dhe është përmbysur.


Aksidenti i paralajmëruar


Aksidenti i rëndë ka ndodhur nga mungesa e infrastrukturës mbi grykëderdhjen e lumit Devoll, ku gjatë transportit mbi këtë lumë të rreth 20 personave, dy gra kanë humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, në lumin që kalon midis fshatrave Braçanj dhe Dobranj të Rrethit të Devollit, ku është përmbysur një mjet i rëndë që transportonte njerëzit për të kaluar në të dyja anët.


Sipas policisë, mjeti tip traktor me rimorkio, është përmbysur thuajse në mesin e lumit, dhe si pasojë të paktën 20 persona, pjesa më e madhe gra, kanë përfunduar në ujë. Ata i ka zënë paniku dhe frika, ndërsa janë rrëzuar në ujërat e lumit, i cili ishte shumë i rrëmbyeshëm, me thellësi në një metër dhe me gropa të shumta nga gërmimi për inerte.


Nga ky aksident humbën jetën dy prej udhëtarëve, Elena Zyfi 35 vjeçe, dhe Mirela Zyfi, 29 vjeçe, që të dyja banore të fshatit Bracanj. Nga ky aksident mësohet se janë rrezikuar edhe gra të tjera që ishin në rimorkio, të cilat, pasi përfunduan në ujin e lumit, të alarmuara dhe me përpjekje të mundimshme, kanë arritur të dalin në breg.


Burime të policisë thanë se shkaku i vdekjes së dy grave ka qenë pasi ato gjatë përmbysjes së mjetit, janë goditur nga rimorkioja dhe kanë pësuar dëmtime të rënda. Si pasojë e dëmtimeve të menjëhershme dhe të rënda që morën nga goditja prej rimorkios, dy gratë nuk kanë qenë në gjendje që të dilnin nga uji si pasagjerët apo udhëtarët e tjerë. Policia tha se dy viktimat e këtij aksidenti nuk i ka marrë rrjedha e lumit, edhe pse ka qenë e rrëmbyer, sepse të afërmit e dy grave kanë ndërhyrë menjëherë dhe pasi i kanë nxjerrë në bregun e lumit, i kanë çuar në shtëpi rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.


Shoqërohet drejtuesi i mjetit


Policia, që e konsideron këtë ngjarje si aksidentale, tha se është shoqëruar në Komisariatin e Devollit, drejtuesi i mjetit tip traktor, Gëzim Zylfi, i cili rezulton edhe i afërm me viktimat. Por, edhe pse pritet një arrestim i drejtuesit të mjetit, sepse ka pasur mbingarkesë njerëzish në rimorkion e traktorit, shkaku i aksidentit, siç pretendojnë edhe banorë të zonës, është mungesa e infrastrukturës.


Vite e vite me radhë, mungesa e një ure që lidh fshatrat e Devollit të sipërm në të dy anët e lumit, është bërë një legjendë, për faktin se dhjetëra e dhjetëra njerëz, e shumë fëmijë të shkollave, kanë rrezikuar jetën e tyre sidomos në kohë me mot të keq dhe me shira kur lumi vjen i rrëmbyeshëm.


Edhe në këtë rast fatkeqësie, në mungesë të urës, mjeti tip traktor ka shërbyer edhe më parë për transportin e njerëzve në të dy anët e lumit, duke shënuar ndoshta fundin e një shërbimi të tillë me vdekjen e dy grave.


Udhëtimi


Të 20 personat ishin duke shkuar paraditen e së shtunës në një funeral në anën tjetër të lumit, kur rimorkio ka rënë në një gropë


Përmbysja


Mjeti tip traktor me rimorkio, është përmbysur thuajse në mesin e lumit, dhe si pasojë të paktën 20 persona, pjesa më e madhe gra


Shkaku


Shkaku i vdekjes së dy grave ka qenë pasi ato gjatë përmbysjes së mjetit, janë goditur nga rimorkioja dhe kanë pësuar dëmtime të rënda


Banorët:


Kostoja e ndërtimit të një ure për banorët në këtë zonë është vetëm 10 milionë lekë


“Fëmijët rrezikojnë përditë mbytjen, kanë ndodhur edhe raste të tjera”


Kalimi mes përmes lumit Devoll, si pasojë e mungesës së një ure që lidh dy fshatrat, është një ritual i përsëritur i banorëve, ndërsa kjo mënyrë përdoret edhe për transportimin e fëmijëve në shkollë.


Në internet qarkullojnë video që tregojnë se si çdo ditë fëmijët e kësaj zone rrezikojnë jetën për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla.


Banorët e zonës, duke u nxitur nga kjo ngjarje e rëndë, thonë se edhe në raste të mëparshme e madje para pak ditëve, kanë rrezikuar jetën fëmijë të shkollës e herë pas here udhëtarë të ndryshëm që kalojnë në të dy anët e lumit si të munden. Thellësia e lumit Devoll pranë grykëderdhjes së tij, nuk është edhe aq e madhe, por rreziku i qarkullimit të mjeteve dhe kalimit të njerëzve në një vend të caktuar midis fshatrave Bracanj e Ponçarë, vjen nga fakti se shtrati i lumit ka gropa të shumta dhe të befasishme nga gërmimet për nxjerrjen e rërës e të inerteve. Edhe aksidenti i fundit dyshohet se ka ardhur nga rrëzimi i mjetit të rëndë nga kontakti me një gropë të krijuar në shtratin e lumit, dhe ka qenë përmbysja e rimorkios e goditja e saj mbi trupin e dy grave që pati si pasojë humbjen e jetës së dy nënave me fëmijë.


Kostoja e ndërtimit të një ure për banorët në këtë zonë është vetëm 10 milionë lekë. Por këto fonde nuk u gjetën kurrë dhe kjo u kushtoi jetën dy nënave dhe rrezikon jetën e shumë të tjerëve çdo ditë.


Ndërkohë, kryetari i Komunës Miras të Korçës, Kryeart Sejto, thotë se shkak për ngjarjen tragjike ka qenë mbingarkesa, pasi, sipas tij, në rimorkion e traktorit gjendeshin mbi 20-25 persona. Ai tregon edhe problematikat që kanë ekzistuar prej kohësh në këtë zonë, pasi mungon një urë e mirëfilltë për kalimin e lumit. “Ngjarja që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe na ka shokuar të gjithëve. Kjo është një rrugë sekondare dhe për të gjitha kohërat nuk ka ekzistuar një urë me të gjithë sigurinë e saj. Herë pas here ia kemi dalë me ura provizore të drunjta. Kemi pritur që të bien prurjet e lumit, me qëllim vendosjen e një ure të drunjtë përsëri, sepse ndërtimi i një ure të mirëfilltë kushton jashtëzakonisht shumë dhe del jashtë mundësive tona financiare”, tha Sejto. Më tej sqaron se së bashku me disa inxhinierë janë duke hartuar një projekt për ndërtimin e një ure, projekt i cili kërkon mbi miliona. “Do të kërkojmë fonde nga qeveria, varet me mundësitë që ka ajo për të na ndihmuar”, përfundoi kryetari i Komunës Miras.