Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur me tragjedi, pasi një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Lezhë-Shkodër, pranë fshatit Gocaj.
Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një gruaje dhe një fëmije që udhëtonin në automjetin tjetër.
Viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, Elona Florini, 42 vjeçe dhe Petrit Florini 53 vjeç, i cili ishte efektiv policie. Elona Florini ishte mësuese.
Pas përplasjes, forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të nxjerrë trupat e viktimave nga automjetet dhe i kanë transportuar me ambulancë për në spital. Policia dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti tragjik.
Ky aksident është i dyti me viktima për këtë vit, pas një ngjarjeje të ngjashme që ndodhi vetëm një ditë më parë në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e njohur si “Bypass”.
Në atë aksident, dy automjete u përplasën, duke çuar në vdekjen e tre personave: Klejdi Myftari 24 vjeç, Anxhelo Ruçi 27 vjeç dhe Martin Dulaj 25 vjeç. E fejuara e Dulajt, Arsida Demiri 19 vjeçe, mbeti e plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
