Policia ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin e ndodhur pasditen e sotme në Liqenin e Komanit. Raportohet se si pasojë e përplasjes së dy skafeve, të plagosur kanë mbetur pesë persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të tjerët që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar lëndime.
Policia thotë se shtetasit që ndodheshin në skafe janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e mjeteve në një kthesë me fushëpamje të kufizuar.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 15:15, në liqenin e Komanit, dyshohet se aksidentalisht janë përplasur 2 mjete lundruese. Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar 5 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasit e tjerë që ndodheshin në mjetet lundruese nuk kanë pësuar dëmtime. Shtetasit që ndodheshin në mjetet lundruese janë nxjerrë në kalatën e Komanit, me ndihmën e mjeteve të tjera lundruese.
Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
