Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksidentin që i mori jetën një 2-vjeçari në Fushë-Domje. Bëhet me dije se se autori është identifikuar si 58-vjeçari me inicialet Y. M., i cili mësohet se ishte edhe komshi me familjen e viktimës.
Pasditen e sotme u raportua se një aksident me pasojë vdekjen e një fëmije 2-vjeçar u regjistrua në Fushë-Domje. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasdite ku një automjet ka përplasur të miturin.
Sipas informacioneve, familjarët e fëmijës nuk dhanë informacion të saktë për momentin, duke shpresuar se ai do të shpëtonte. Fillimisht, ata ngritën hipoteza se fëmija ishte përplasur nga një automjet në rrugë, pa e identifikuar atë.
Pas ngjarjes policia ngriti një grup hetimor, i cili arriti të identifikojë dhe kapë autorin, i cili ishte komshi me familjen, si dhe të gjejë e sekuestronte automjetin.
Bëhet me dije se rreth orës 17:30, në Spitalin e Traumës, familjarët kanë dërguar për mjekim fëmijën i cili nuk ka mundur të mbijetojë.
NJOFTIMI:
Tiranë/Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë ju bëjmë me dije se;
Falë veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, që aksidentoi me pasojë vdekjen e dy vjeçarit.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi Y. M., 58 vjeç, është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme procedurale.
Gjithashtu, është bërë gjetja dhe sekuestrimi i automjetit tip “Benz”me të cilin ky shtetas shkaktoi aksidentin.
Nga verifikimet ka rezultuar se aksidenti ka ndodhur në Fushë Domje dhe jo në Kamëz.
Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.