Ministria e Shëndetësisë: Pritet që pacientja të transportohet në një tjetër spital për rikuperim të plotë 


Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar dje se studentja e aksidentit të Himarës, e cila ishte në koma, ka dalë me sukses nga kjo gjendje shëndetësore. Studentja Florije Peci, 21 vjeçe, nga Librazhdi, që për më shumë se një muaj është kuruar në spitalin austriak ka dalë përfundimisht nga gjendja e komës dhe ka kapërcyer me sukses gjendjen e ndërmjetme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pas daljes nga terapia intensive, Peci ka mundur të flasë me familjarët, duke dhënë shenja të një shëndeti mendor të pacenuar.


Peci është zgjuar dy ditë më parë dhe sipas bluzave të bardha të spitalit austriak ku ajo është shtruar, truri i saj ka reaguar pozitivisht pas testeve të bëra. Mjekët kanë referuar se Peci pritet të transportohet në një tjetër spital në Austri, për një tjetër trajtim shëndetësor, në mënyrë që të ketë rikuperim më të plotë fizik.


Rreth dy javë më, doli nga koma studentja tjetër, Eriselda Gubere. Ajo qendroi për rreth tre javë në terapi intensive. Gubere iu rikthye normalitetit jetësor para shoqes së saj Peci. Të dyja studentet e Universitetit të Elbasanit u transportuan për kurim special në Austri. Florije Peci dhe Eriselda Gubere, dy vajzat e plagosura në aksidentin në Himarë, u transportuan më 24 maj drejt Vjenës, për një mjekim më të specializuar. Të dyja vajzat morën plagë të rënda, u dëmtuan në shtyllën kurrizore dhe në tru. Për shkak të gjendjes së tyre të rënduar, fillimisht mjekët e Spitalit Ushtarak këmbëngulën që pacientet të mos lëvizeshin nga reparti i terapisë intensive, por pas sigurimit të avionit special, u mor vendimi për transportin e tyre në qendra më të specializuara shëndetësore, në Austri. Provat e para të zgjimit për të dyja vajzat rezultuan të mos ishin efektive, por pas përpjekjeve të tjera nga stafi i mjekëve austriakë, të dyja vajzat kanë mundur të rehabilitohen dhe të dalin nga gjendja e rëndë.


Avioni me të cilën u transportuan dy pacientet e aksidentuara ishte special, me pajisje ekstra dhe staf të specializuar. Sipas negociatorëve që bënë të mundur sigurimin e avionit, mjeti konsiderohej sanitar special për disa arsye: sepse brenda kishte dy shtretër të terapisë intensive, pajisje shtesë dhe të posaçme për gjendjen e vështirë të pacienteve, si dhe një ekip të veçantë mjekësh që bënë shoqërimin e vajzave të aksidentuara nga Shqipëria në Austri. Të gjitha këto specialitete, pajisje, transport, karburant për çarterin sanitar special kanë kushtuar rreth 15 mijë euro. Eriselda Gubere doli nga koma më 15 qershor. Studentja 21-vjeçare nga fshati Shakuj i Lushnjës u përmend pas tri javësh kurim. Në aksidentin tragjik të 21 majit, në qafën e Vishës në Himarë, humbën jetën 13 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.


 


Aksidenti


Në aksidentin tragjik të dyja studentet e Universitetit të Elbasanit, u plagosën rëndë, duke marrë plagë në shtyllë kurrizore dhe tru