Nënë e bir 43 dhe 21 vjeç humbën jetën në një aksident tragjik, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme (7 gusht) në Serres të Greqisë.

Nëna dhe djali, me origjinë nga Shqipëria dhe banues prej vitesh në Palaiokomi, punonin në të njëjtën kompani, me seli në Paralia Ofryniou. Mëngjesin e së premtes, ata ishin nisur së bashku për në punë, por rreth orës 07:30 automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion.

Përplasja kokë më kokë ishte jashtëzakonisht e fortë. 21-vjeçari, i cili drejtonte automjetin, dhe nëna e tij humbën jetën në vend.

Drejtuesi i kamionit pësoi dëmtime të lehta dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës. Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

Pamjet e kamerës mund të ndihmojnë në zbardhjen e aksidentit

Një element i rëndësishëm për hetimin është pamja e regjistruar nga kamera e kamionit, e cila ka fiksuar momentet para përplasjes fatale.

Pamjet pritet të ndihmojnë autoritetet për të përcaktuar lëvizjen e automjetit dhe dinamikën e aksidentit.

Sipas ekspertit dhe analistit të aksidenteve rrugore, Georgios Karydas, nga të dhënat e para duket se automjeti i nënës dhe djalit po lëvizte me shpejtësi të lartë.

“Automjeti duket se kishte një shpejtësi të madhe, dukshëm mbi kufirin e lejuar për atë rrugë. Kamioni i lehtë po lëvizte normalisht në korsinë e tij”, ka deklaruar eksperti.

Sipas tij, nga pamjet duket se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin, ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur ballë për ballë me kamionin.

Eksperti e lidh humbjen e kontrollit kryesisht me shpejtësinë e lartë, e cila, e kombinuar me kthesën e rrugës në atë segment dhe forcën centrifugale, ka bërë që automjeti të devijojë drejt korsisë së kundërt.

Hetimet e policisë rrugore vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me aksidentin.

Familja përballet me një dhimbje të madhe

Lajmi për vdekjen e nënës dhe djalit ka tronditur rëndë komunitetin e Palaiokomisë, ku familja jetonte dhe punonte.

Banorët i përshkruajnë ata si dy persona që dolën herët në mëngjes për të shkuar në punë, pa e ditur se pak orë më vonë jeta e tyre do të përfundonte në një tragjedi.

Babai dhe vajza e familjes tashmë duhet të përballen me humbjen e dy njerëzve të tyre të dashur.

“Kam humbur edhe gruan, edhe fëmijën tim. Po shkonin në punë. Nuk e di çfarë ndodhi. I humba të gjithë”, është shprehur i dëshpëruar bashkëshorti.