Një video e regjistruar nga kamera e një kamioni ka zbardhur momentin e përplasjes së rëndë që i mori jetën një 43-vjeçareje dhe djalit të saj 21-vjeçar me origjinë shqiptare në zonën e Serres, në Greqi.

Aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën nacionale Amfipoli–Drama, pranë Paleokomit, ku një automjet tip “Volkswagen” u përplas ballazi me një kamion.

Sipas mediave greke, përplasja ishte aq e fortë sa dy personat që udhëtonin në makinën e vogël nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra. Mësohet se në timon ishte 21-vjeçari, ndërsa në sediljen e pasagjerit ndodhej nëna e tij. Ata ishin nisur herët në mëngjes drejt punës, por udhëtimi rezultoi fatal.

Pamjet e kamerës së kamionit pritet të analizohen nga autoritetet greke për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë për përplasjen.

Shoferi 56-vjeçar i kamionit ka deklaruar para autoriteteve se ishte duke lëvizur në korsinë e tij, kur automjeti që vinte nga drejtimi i kundërt humbi kontrollin dhe hyri në korsinë e tij. Ai ka thënë se tentoi të shmangte përplasjen, por nuk arriti ta evitonte.

Drejtuesi i kamionit ka pësuar dëmtime të lehta dhe është transportuar në spitalin e Dramës, jashtë rrezikut për jetën.

Familja e viktimave, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në zonën e Paleokomit dhe ishte e njohur në komunitet. Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe te të afërmit dhe banorët e zonës.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit tragjik./VIDEO