Spitali Universitar i Traumës ka dhënë detaje të reja mbi gjendjen e të plagosurve nga aksidenti i rëndë me autobus në autostradën Durrës–Tiranë.
Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma, bëri të ditur se shoferi i autobusit ka mbërritur në spital pa shenja jete, ndërsa disa prej pasagjerëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas tij, mes të lënduarve janë edhe dy të mitur: një fëmijë rreth 8–9 vjeç në gjendje të rëndë dhe një tjetër 14-vjeçar që ndodhet në repartin e observimit.
“Janë 2 të mitur, një në gjendje të rëndë dhe një në observim. Pesë pacientë të moshës 30–50 vjeç po i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa dy prej tyre janë shtetas të huaj, ende të paidentifikuar plotësisht dhe në gjendje të rëndë,” u shpreh Suma.
Ai shtoi gjithashtu se pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të stabilizuar në urgjencë dhe nuk paraqesin rrezik për jetën, ndërsa ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë e çdo rasti.
