Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se pas aksidentit tragjik në Durrës është e nevojshme një rishikim i Kodit Penal të Shqipërisë, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk ofrojnë mjaftueshëm përgjegjësi për rastet e rënda në trafik.
Ai nënvizoi se reagimi i institucioneve duhet të jetë i menjëhershëm sapo të krijohen mundësitë për ndryshime ligjore dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit të kryejë një analizë më të detajuar të shkeljeve në qarkullim.
“Rishikimi i Kodit Penal është i domosdoshëm. Nuk mund të mjaftohemi vetëm me heqjen e pikëve nga patenta. ShBA ka vendosur konceptin e ‘vrasjes nga vetëbesimi i tepruar’. Përgjigja jonë duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësi për ndryshime ligjore. Policia duhet të analizojë me kujdes çdo rast. Të fortët e lagjeve duhet të shndërrohen në shembuj, pa mundësi për të mbajtur patentë. Këta duhet të jenë paralajmërim për çdo komunitet,” tha Balla.
