Nikoll Radaçi, 57-vjeçari që shkaktoi tragjedinë në Durrës duke marrë jetën e dy fëmijëve më 3 maj 2026, ishte një shkelës i përsëritur i Kodit Rrugor.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, Radaçi kishte tre dënime të mëparshme: një herë në 2020 për parakalim të gabuar dhe dy herë në 2022 për tejkalim shpejtësie, duke përfshirë pezullimin e lejes së drejtimit. Megjithatë, kjo histori problematike nuk e pengoi atë të dilte sërish në rrugë në gjendje të dehur, duke shkaktuar aksidentin tragjik.
Ekspertët dhe avokatët theksojnë se ngjarja mund të ishte parandaluar nëse roli i policisë në komunitet do të ishte më aktiv. “Roli i policisë është parandalimi. Ky është rasti tipik që nëse Policia e Shtetit do ishte afër komunitetit, kjo ngjarje mund të ishte parandaluar.”, tha avokati Ledio Braho.
“Aty në zonë ka edhe inspektorë. Këtë njeri ata duhet ta kishin evidentuar dhe ta ndalonin. U kape me pije alkoolike, hiqe patentën përgjithmonë. Ka nevojë për edukim edhe në komunitet.”, shtoi eksperti rrugor Gëzim Hoxha.
Vepra e Radaçit do të klasifikohet si shkelje e rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen, megjithëse për ngjarje të ngjashme janë aplikuar edhe standarde më të rrepta, si për rastin e përplasjes së një 7-vjeçareje nga një skaf në Himarë.
Ekspertët theksojnë se rritja e dënimeve nuk ka arritur të parandalojë përsëritjen e shkeljeve, ndërsa zgjidhja e rekomanduar është identifikimi dhe bllokimi i “vrasësve me timon” përpara se të ndodhin tragjedi të tjera. Ndryshimet e shpeshta ligjore, sipas tyre, duhet të shoqërohen me zbatim të rreptë dhe pranë komunitetit.
