Policia ka hetuar aksidentin e rëndë që ndodhi në rrugën Vorë-Fushë Krujë, ku një automjet që udhëtonte me katër të rinj u përplas me një betonierë të ndaluar në mes të rrugës. Kamera e sigurisë ka regjistruar momentin kur automjeti ka parakaluar dy kamionë dhe ka hyrë në rrugën kryesore për të vijuar udhëtimin, kur ndodhi përplasja me betonierën.

Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, ka dëshmuar se sapo ka hyrë në rrugë, mjeti i tij ka ndaluar për shkak të mungesës së naftës. Ai ka thënë se ka provuar të ndezë dy herë mjetin dhe më pas ka shkuar për të marrë naftë, por ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës dhe të vendosë sinjalistikën e nevojshme. Në dëshminë e tij të parë, ai kishte thënë se betoniera ishte në lëvizje, por më vonë ka dhënë variantin e mësipërm.

Grupi hetimor ka dyshime për faktin se betoniera mund të ketë pasur një defekt dhe nuk është marrë asnjë masë për të paralajmëruar automjetet që po vinin pas, siç kërkon ligji. Po ashtu, hetuesit dyshojnë se përplasja ka ndodhur me shpejtësi të lartë, rreth 140 km/orë, dhe mungesën e fushëpamjes së drejtuesit të automjetit të aksidentuar, që besohet se ka qenë për shkak të mungesës së ndriçimit në zonë.