Rezultatet e autopsisë mbi trupat e tre shqiptarëve që humbën jetën të hënën pasdite në aksidentin tragjik në autostradën Egnatia kanë qenë tronditëse. Sipas protothema.gr, ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se viktimat ishin ende gjallë në momentin kur automjeti u përfshi nga flakët, por ishin pa ndjenja për shkak të plagëve të rënda të marra gjatë përplasjes.
Mjekët konstatuan dëmtime të rënda në kokë, gjoks dhe bark, brinjë të thyera, si dhe këputje të organeve të brendshme, ndërsa shoferi kishte pësuar fraktura të kafkës. Hetimi tregon se kamioni ka goditur automjetin në pjesën e karburantit, çka shkaktoi zjarrin e menjëhershëm. Për pasojë, tre udhëtarët nuk humbën jetën nga plagët e aksidentit, por nga flakët, në një gjendje pa ndjenja.
Ndërkohë, personat e tjerë të plagosur pritet të lënë spitalin, përveç shoferit bullgar të kamionit, i cili mbahet në paraburgim deri në përfundimin e analizave toksikologjike që do të tregojnë nëse ai kishte konsumuar alkool.
Autoritetet kanë caktuar gjithashtu një ekspert për të përcaktuar shpejtësinë e kamionit në momentin e përplasjes. Aktualisht, shoferi përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, dëmtime trupore dhe drejtim të rrezikshëm, të cilat konsiderohen kundërvajtje. Megjithatë, rezultatet përfundimtare të hetimit do të përcaktojnë nëse akuzat do të kualifikohen si vepra penale më të rënda.
