Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë 2 viktimat e aksidentit tragjik në Rumani, siç raporton gazetari i Top Channel Artur Bibe.
Video që po bë xhiron e mediave europiane pasqyron një aksident të tmerrshëm rrugor në Rumani që ka tronditur mbarë Greqinë. Është një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut ,të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lionit në Europa League, i cili siç duket përfshihet në një përplasje fatale në autostradën pranë qytetit Lugoj.
Bilanci është tragjik, 7 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku. Sipas informacioneve, ende të pakonfirmuara të paktën një prej viktimave thuhet se ishte shqiptar me origjinë nga Korça, me inicialet V.P.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet për aksidentin.
Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve. Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve.
Ndërkohë kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga federata europiane Futbollit. /Top Channel/

