Është rritur bilanci i viktimave nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur disa ditë më parë në Siçili të Italisë. Pas katër ditësh në gjendje kritike në spital, ka ndërruar jetë edhe drejtuesi i automjetit që u përplas me një kamion të ngarkuar me fruta dhe perime.
Bëhet fjalë për 39-vjeçarin Tili Pilinci, i cili ndërroi jetë në spitalin “Villa Sofia” në Palermo, ku ishte shtruar në reanimacion për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja.
Në momentin e aksidentit fatal, që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, humbi jetën menjëherë edhe 24-vjeçari Flori Topalli, i cili ndodhej në të njëjtën makinë.
Sipas mediave italiane, 39-vjeçari ishte transportuar fillimisht në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u transferua më pas në Palermo, ku mjekët u përpoqën për disa ditë ta mbanin në jetë.
Dy viktimat, me origjinë shqiptare, jetonin në zonën e Canicattì dhe Naro dhe punonin si punëtorë sezonalë në sektorin e bujqësisë. Mëngjesin e aksidentit ata po shkonin drejt vendit të punës kur automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion që transportonte fruta dhe perime.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
