Një aksident ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Fishtë të Lezhës, ku janë përplasur një furgon dhe një mjet tip Golf. Ngjarja ka ndodhur në aksin dytësor që lidh fshatin Fishtë me autostradën Lezhë-Shkodër.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit tip Golf ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa drejtuesi i furgonit ka mbetur i plagosur dhe është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Dyshohet se mjeti tip Golf mund të ketë humbur kontrollin, duke shkaktuar përplasjen me furgonin.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti.
