Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku është përfshirë dhe një makinë policie.
Mësohet se një 29-vjeçar, i cili ishte duke drejtuar mjetin nën efektin e lëndëve narkotike, ka përplasur automjetin e policisë. Për pasojë, dy efektivë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për mjekim.
I riu u arrestua, teksa pas kontrolleve në shtëpinë e tij, policia i gjeti një sasi lënde narkotike.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. Xh., 29 vjeç. Ky shtetas me automjetin që dyshohet se e drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, pasi ka parë shërbimet e Policisë ka përplasur një automjet policie, gjatë tentativës për t’u larguar.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët morën asistencë mjekësore në spital. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë, i gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.




