gaze29-vjeçarja humb jetën pas rrëzimit në humnerë të autoveturës


Gazetarja e televizionit “News 24”, Enkelejda Skënderasi, ka humbur jetën në një aksident rrugor, teksa ndodhej në krye të detyrës gjatë aktivitetit të “100-vjetorit të masakrës së Panaritit” në Korçë. 29-vjeçarja që mbulonte rrethin e Korçës, u aksidentua për vdekje teksa kthehej nga aktiviteti së bashku me kolegë të tjerë, të cilët kishin shkuar për të transmetuar ngjarjen. Fatkeqësisht, misioni i saj është ndërprerë, teksa makina me të cilën korrespondentja dhe tre kameramanë të televizionit ktheheshin nga fshati i Panaritit, ka dalë nga rruga.


Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 12:45 të ditës së djeshme në degëzimin e fshatit Panarit-Vithkuq, ku gjatë humbjes së kontrollit të automjetit të drejtuar nga Daniel Hyka, punonjës i Drejtorisë Pyjore në Korçë, fuoristrada me targa angleze K 679 EJM ka dalë nga rruga dhe ka rënë 20 metra në greminë.


Gazetarja Enkelejda Skënderasi nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve të marra në kokë dhe ka humbur jetën rrugës për në spital, ndërsa operatorët dhe drejtuesi i automjetit kanë marrë dëmtime të lehta.


Operatori Reshit Dikolli ka treguar momentin e aksidentit. Ai shprehet se gazetarja Enkelejda Skënderasi ishte ulur në vendin e parë të automjetit dhe në momentin e aksidentit e kishte vendosur rripin e sigurimit. “Shoferi kishte ndaluar, sepse kishte dalë një makinë tjetër përpara. Nuk ka qenë asnjë manovër e gabuar e shoferit. Ishim në malore dhe shoferi ndaloi. Enkelejda ishte ulur në vendin e parë, unë isha ulur mbrapa dhe kishte vendosur rripin e sigurimit, por në momentin që makina u nis rrëshqiti nga zhavorri. Ne ramë poshtë dhe Enkelejda doli nga makina dhe u përplas në një shkëmb, ne e gjetëm jashtë të mbuluar në gjak, të pajetë”, ka thënë Dikolli.


Ndërkohë, ngjarjen e ka treguar edhe gazetari Marin Mema. “Kishte vetëm pak minuta që kishte mbaruar organizimi. Sapo ishin nisur një grup makinash. Ka qenë një fraksion sekonde nuk e morëm vesh si doli nga rruga makina. Pasi u rrotullua dy herë ndodhi ajo që nuk pritej. E kam shumë të vështirë të shprehem. Ishte një moment shumë i vështirë u përpoqëm t’i jepnim ndihmën e parë. Gazetarja me sa duket kishte dalë nga dritarja. U përpoqëm t’i jepnim ndihmën e parë, por ishte e pamundur, goditja ishte fatale. Jo thjesht si njeri dhe koleg, por nga ana njerëzore jam afër familjarëve dhe gjithë stafit. Është vërtet diçka shumë e dhimbshme dhe tragjike”, tha Mema.


Enkelejda Skënderasi ka lindur ne qytetin e Korçës më 1 tetor të vitit 1985. Pas përfundimit të studimeve në degën Filozofi-Sociologji në universitetin “Fan Noli” të qytetit juglindor Enkelejda do të niste të ushtronte profesionin e gazetares. Fillimisht në media lokale. Në tetor të vitit 2009, Enkelejda do të niste punë si gazetare në “News 24”, ku mbulonte me informacion gjithë Qarkun e Korçës. Enkelejda gazetarinë nuk e kishte thjesht një profesion ajo e kishte kthyer atë në mision përmes të cilit i gjendej pranë kujtdo e në çdo kohë. Janë me dhjetëra ngjarje të përcjella në kohë reale që kanë gjetur zgjidhje falë raportimeve të Enkelejda Skënderasit, misioni i së cilës nuk kishte orare, nuk njihte vështirësi e sfida përballë lajmit që ajo përcillte nga çdo cep i Korçës.


 


REAGIMET


Peleshi:


Jeta nuk u tregua e drejtë me Enkelejdën


“I paharruar kujtimi i gazetares së përkushtuar, Enkelejda Skënderasi. E buzëqeshur dhe e gëzuar, kështu do të mbahet mend Enkelejda që punën e gazetares e bëri me pasion deri në ditën e fundit të jetës, por nuk u tregua e drejtë me të sot”, shkruan Peleshi në rrjetin social Facebook. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi është nga qyteti i Korçës dhe ka qenë kryetar bashkie i qytetit juglindor.


Panariti:


I tronditur nga humbja tragjike e gazetares


“Jam shumë i tronditur nga humbja e papritur tragjike dhe e parakohshme e Enkelejdës, gazetares së palodhur dhe të talentuar të “News 24″. Pak minuta para aksidentit isha për herë të fundit me të në një prononcim për mediat në fshatin Panarit me rastin e 100-vjetorit të masakrës mbi popullsinë e këtij fshati në korrik 1914. Ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta familjes. Prehje në paqe shpirtit tënd të mirë. Lamtumirë”, shkruan Panariti në rrjetin social Facebook.


Unioni i Gazetarëve:


Dhimbje për humbjen e papritur të koleges


Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetares së “News 24”, Enkelejda Skënderasi. “Lajmi për humbjen e jetës së koleges ka hidhëruar të gjithë gazetarët shqiptarë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në dhimbjen për humbjen e papritur të koleges Skënderasi, u shpreh familjes së saj, miqve dhe kolegëve të redaksisë së saj, ngushëllime. Për organizatën tonë puna dhe këmbëngulja profesionale e Enkelejdës janë modeli i çmuar dhe që meriton vlerësime”, shkruhet në një deklaratë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.


Avokati i Popullit:


Humbëm një bashkëpunëtore të çmuar


Avokati i Popullit ka shprehur keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të gazetares së “News 24”, Enkelejda Skënderasi. “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e saj. Enkelejda, një gazetare profesioniste, e palodhur dhe bashkëpunëtore e Avokatit të Popullit. Enkelejda do i mungojë familjes dhe medias shqiptare”, shkruan në një mesazh Totozani.