Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasen italiane Angela Panzillo, 28 vjeç, e cila pak ditë më parë shkaktoi një aksident tragjik në autostradën Vlorë–Fier, ku humbën jetën dy persona.
Seanca gjyqësore u zhvillua paraditen e sotme, ku gjyqtari i çështjes, Fjoralb Behari, pranoi kërkesën e prokurorisë duke lënë të pandehurën në burg pa afat.
Panzillo, me origjinë nga Napoli, akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, parashikuar nga paragrafi i katërt i nenit përkatës të Kodit Penal, ku si pasojë e shkeljes së rëndë humbën jetën dy persona.
Aksidenti ndodhi në një nga segmentet më të frekuentuara të jugut, ndërsa hetimet paraprake treguan se italiania ka qenë në shkelje të rregullave të qarkullimit në momentin e ngjarjes. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndaj të arrestuarës pritet të vijojnë hetimet në gjendje të paraburgosur, ndërsa familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi për humbjen tragjike të jetëve njerëzore.