Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën Himarë-Borsh, ku një automjet ka përplasur një motor me dy shtetas austriakë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një grua 63-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka ndaluar drejtuesin e makinës, një 52-vjeçar nga Qeparo, i cili dyshohet si përgjegjës për aksidentin.
Ndërkohë, në Sarandë, dy persona janë proceduar nga policia pasi janë konfliktuar me një banor të fshatit Gjashtë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për shkak të një debati mes tyre. Të tre personat janë nga i njëjti fshat dhe hetimet për rastin po vazhdojnë.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për aksidentin rrugor të ndodhur ditën e djeshme në aksin “Himarë-Borsh”, arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesin e automjetit tip “Toyota”, shtetasin D. K., 52 vjeç, banues në Qeparo, pasi dyshohet se ka aksidentuar motomjetin me drejtues shtetasin F. P., 64 vjeç, dhe pasagjere shtetasen R. P., 63 vjeçe, të dy banues në Austri. Si pasojë e aksidentit humbi jetën shtetasja R. P., ndërsa shtetasi F. P. ndodhet në Spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. Gj., 49 vjeç, dhe G. Gj., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi dyshohet se më datë 11.05.2025, për motive të dobëta, janë konfliktuar me shtetasin D. K., 50 vjeç, banues në të njëjtin fshat.
