Michele D’Angelo, profesori italian i biologjisë, i cili u përfshi në aksidentin tragjik të 8 gushtit në aksin Levan-Fier, është kthyer në Itali pas 75 ditësh të kaluar në burgun shqiptar. 44-vjeçari italian, i cili u arrestua pas aksidentit që i mori jetën një 17-vjeçari, zbarkoi të mërkurën në aeroportin e Fiumicinos, në Romë, bashkë me partneren e tij, Vanessa Castelli. Pas arritjes në Itali, D’Angelo udhëtoi drejt L’Aquila, qytetit të tij të lindjes, ku ai prej vitesh mësimdhënës në Universitetin e Aquilës.

Lajmi për lirimin e Michele D’Angelo është bërë i ditur nga mediat italiane, të cilat kanë njoftuar se transferimi i tij është realizuar me një masë sekreti maksimal nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane.

Përkundër natyrës tragjike të aksidentit, drejtësia shqiptare i ka caktuar D’Angelo një masë më të lehtë sigurie. Partnerja e tij, Vanessa Castelli, deklaroi se tani ai do të ketë vetëm detyrimin për të nënshkruar, duke theksuar se “makthi ka përfunduar” dhe se Michele tani mund të “marrë frymë lirisht”.

Michele D’Angelo, shkencëtar me renome ndërkombëtare, u arrestua më 8 gusht, pasi automjeti me të cilin po udhëtonte në Shqipëri u përplas me një Mercedes në autostradën Levan-Fier. Ky aksident tragjik i mori jetën një 17-vjeçari, çka shkaktoi shqetësim dhe reagime të forta mediatike. Pas një periudhe të gjatë hetimi, D’Angelo ka përfunduar me një masë më të lehtë sigurie dhe është dërguar në vendin e tij të origjinës, ku ai do të përballet me më shumë proceset ligjore, por tashmë larg izolimit që ka kaluar në Shqipëri.