Drejtuesi i mjetit që përplasi për vdekje një të moshuar dhe më pas u largua nga vendngjarja, është vënë në pranga nga policia.
Aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Peqin-Rrogozhinë, i mori jetën shtetases M.K., 82 vjeçe. Mësohet se pas përplasjes, drejtuesi i mjetit 58-vjeçar, nuk është ndaluar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve, forcat e rendit kanë arritur të lokalizojnë dhe kapin 58-vjeçarin, të cilit iu sekuestrua gjithashtu automjeti me të cilin ishte përfshirë në aksident. Aktualisht, ai është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, ndërkohë që po vijon hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorit të aksidentit rrugor të ndodhur mbrëmë, në aksin “Peqin – Rrogozhinë”, ku si pasojë e përplasjes me automjet, humbi jetën shtetasja M. K., 82 vjeçe, specialistët e qarkullimit rrugor, pak orë pas aksidentit dhe largimit nga vendngjarja, lokalizuan drejtuesin e automjetit që përplasi 82-vjeçaren, shtetasin D. G., 58 vjeç, banues në Kavajë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 58-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
—
•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset:
-L. G. dhe E. G., banuese në Tiranë, pasi dyshohet se nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të paraqitur dokumentet e identifikimit, gjatë një ndeshjeje futbolli për vajza;
-Q. B., banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
•Rreth orës 00:55, është djegur pjesërisht, automjeti i shtetasit K. T., që ishte parkuar në lagjen nr. 6. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të përcaktuar dhe dokumentuar shkakun e djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
