Letërporosia
Një shqiptar, shofer autobusi, ka përplasur një eskortë policie në Greqi, duke iu shmangur arrestimit. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Taulant Gjikopuli, me mjetin me targa TR 2362 F, ka aksidentuar disa policë grekë dhe më pas ka lëvizur me shpejtësi. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë në qytetin e Patras, ndërkohë që verifikimet e mëvonshme kanë zbuluar se autobusi drejtohej nga Gjikopuli. Duke qenë se shoferi u drejtua në Shqipëri, Prokuroria e Patras ka vijuar hetimet dhe ka dërguar një letërporosi, ku kërkon marrjen e deklarimeve të shoferit.
“Nga aktet që shoqërojnë kërkesën për letërporosi rezulton se prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Patra, Greqi, ka nisur një procedim penal lidhur me një aksident automobilistik të ndodhur në Greqi, ku veç automjeteve të tjera, rezulton të jetë përfshirë edhe një autobus me targë TR 2362 F, i drejtuar nga shtetasi shqiptar Taulant Gjikopuli. Në kërkesën e organeve të drejtësisë greke kërkohet që të merren deklarimet e shtetasit shqiptar Taulant Gjikopuli”, thuhet në vendimin e gjykatës, që ka aprovuar kërkesën e prokurorisë. Sipas letërporosisë, personat nën hetim akuzohen për veprat penale për “krime kundër autoritetit të shtetit” dhe “vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike”.
Krahas akuzës në Greqi, Gjikopuli është akuzuar edhe në Shqipëri, pasi ka tentuar të dërgojë në Greqi klandestinë. Ai është arrestuar në vitin 2010 në Kakavijë, pasi i janë gjetur gjashtë emigrantë të paligjshëm në autobus.