Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të premte në Berat, në aksin rrugor Axhensi–ish-Merkata, ku një këmbësor ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen Golf, që dyshohet se lëvizte me shpejtësi, ka përplasur një 60-vjeçar në momentin kur ai po kalonte rrugën.

I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitali Rajonal Berat, ku fillimisht iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë. Më pas ai u transferua në repartin e urgjencës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë zonës për të zbardhur dinamikën e aksidentit.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, një 20-vjeçar, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.