Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë kontrolle të befasishme në disa institucione të vuajtjes së dënimit në vend, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda qelive.
Sipas informacioneve zyrtare, aksionet janë zhvilluar gjatë ditës së sotme në burgjet e Fierit, Vlorës dhe Peqinit, ku gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sende të ndaluara, të cilat nuk lejohen të mbahen nga të dënuarit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se operacionet po zhvillohen në bashkëpunim me strukturat e sigurisë dhe synojnë rritjen e kontrollit brenda institucioneve penitenciare.
Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se kontrollet do të shtrihen edhe në burgjet e tjera të vendit, ndërsa fokusi mbetet parandalimi i futjes së sendeve të paligjshme dhe ruajtja e rendit e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
