Forcat e Komisariatit të Policisë Krujë, të mbështetura nga njësitë operacionale të Drejtorisë së Policisë Tiranë, kanë ngritur postoblloqe kontrolli në të gjithë aksin kryesor të rrethit Krujë, me fokus të veçantë në zonën e Fushë-Krujës.

Kontrollet synojnë parandalimin e paligjshmërisë, ndalimin e personave në kërkim, si dhe arrestimin e atyre që qarkullojnë me armë ose lëndë narkotike. Drejtuesit e rinj të komisariatit të Policisë Krujë kanë vendosur nën kontroll të veçantë edhe “zonat e nxehta” të rrethit, të cilat shquhen për persona me rekorde të rënda kriminale.

Po ashtu, fokus i veçantë i operacionit është edhe mbi zonat problematike për kultivimin e kanabisit. Policia apelon tek qytetarët për bashkëpunim dhe respektim të rregullave, ndërsa garanton prani të shtuar për sigurinë në të gjithë territorin e rrethit Krujë.