Një përplasje mes policisë dhe një personi në kërkim ka ndodhur mbrëmjen vonë të së shtunës në aksin Ksamil – Butrint. Agjentë të krimeve të Komisariatit të Sarandës kanë tentuar të kapin një person në kërkim gjatë një operacioni policor. Gjatë ndjekjes, i kërkuari ka përplasur mjetin e tij me mjetin ku ndodheshin efektivët e policisë dhe ka arritur të largohet. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie me mbështetjen edhe të FNSH dhe vijuan operacionin në kërkim të të kërkuarit.
Në orët e para të së dielës policia ka arritur ta kapë personin në kërkim. Sipas burimeve, ai është nga Elbasani por emri i tij ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë raportohet se ai është person me rrezikshmëri të lartë, i përfshirë në disa ngjarje të rënda dhe është i kërkuar nga SPAK.
