Kontrolle të befasishme janë zhvilluar në burgun e Fushë-Krujës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe disiplinës në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Operacioni u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, së bashku me drejtorin e Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta. Aksioni nisi rreth orës 17:30 dhe zgjati deri në orën 19:30, ku u ushtruan kontrolle të detajuara në ambientet e brendshme të burgut.
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan 3 telefona celularë, 3 ora inteligjente me funksion komunikimi, mjete të improvizuara të mprehta, si edhe sende të tjera të ndaluara.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve thekson se çdo shkelje që cenon rendin dhe sigurinë brenda burgjeve do të përballet me masa të menjëhershme.
Sipas institucionit, kontrollet intensive do të vijojnë edhe në burgjet e tjera në vend, ndërsa është paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkelësit e rregullave.

