Struktura të Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë ndërmarrë një plan masash të përqendruar te verifikimi i automjeteve me vlera të larta financiare, me qëllim goditjen e pasurive të përfituara nga veprimtaria me burim kriminal. Gjatë kontrolleve të ushtruara në terren, policia ka shoqëruar disa mjete luksoze të prodhuara gjatë viteve të fundit, ku pas verifikimeve të kryera ka konstatuar shkelje të legjislacionit pasuror.

Nga hetimet paraprake dhe deklarimet e marra nga poseduesit e tyre, ka rezultuar se tre prej këtyre automjeteve nuk justifikoheshin me të ardhurat e njohura dhe të ligjshme të pronarëve. Në këto kushte, strukturat e policisë kanë sekuestruar mjetet në cilësinë e provës materiale, ndërsa tre shtetasit që i posedonin ato janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Paralelisht me procedimin penal, autoritetet e policisë në Vlorë kanë nisur një hetim të thelluar pasuror ndaj pronarëve të automjeteve, për të gjurmuar origjinën e burimeve financiare dhe mënyrën e përfitimit të pasurive të tyre. Policia e Shtetit bëri me dije se aksione të këtij lloji do të vijojnë edhe në ditët në vijim për evidentimin e pasurive të paligjshme.