Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranës ka prishur sot një objekt katërkatësh pa leje në zonën e Liqenit të Tiranës, duke ekzekutuar vendimin pas përfundimit të një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se tetë vite.
Objekti ishte konstatuar në vitin 2018 dhe sipas IMT së Bashkisë Tiranë, ishte pa dokumentacionin përkatës tekniko-ligjor dhe ishte skualifikuar edhe nga procesi i legalizimit. IMT nxori vendimin për prishjen e tij më 22 janar 2018, por pronari, Myslym Sina, e kundërshtoi vendimin në gjykatë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesëpadinë e pronarit. Më 24 qershor 2026, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi këtë vendim, duke i hapur rrugë ekzekutimit të vendimit të IMT-së pas komunikimit të tij.
Ndërhyrja e sotme liron një pjesë të Parkut të Liqenit të Tiranës nga një ndërtim pa leje. Bashkia e Tiranës njofton se do të vijojë zbatimin e vendimeve për mbrojtjen e territorit dhe të hapësirave të gjelbra të qytetit.
