Një operacion i policisë greke i zhvilluar në orët e para të së martës në zonën e Agia Paraskevi, në Atikë, ka çuar në sekuestrimin e mbi 61 kilogramëve kanabis dhe arrestimin e një personi.

Sipas autoriteteve, efektivët tentuan të ndalonin për kontroll një automjet me dy persona në bord, por drejtuesi i mjetit refuzoi t’i bindej urdhrit të policisë dhe u largua me shpejtësi.

Pas një ndjekjeje të shkurtër, automjeti u bllokua nga policia. Gjatë kontrollit në makinë u zbuluan 49 pako me kanabis, me një peshë totale prej 61 kilogramësh e 250 gramësh.

Njëri prej dy personave që ndodheshin në automjet u vu në pranga, ndërsa tjetri arriti të largohej dhe është shpallur në kërkim.

Policia greke vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar rolin e personave të përfshirë në transportin e lëndës narkotike.