Një kontroll i befasishëm në burgun e Fierit nxori në pah sende të palejueshme që zotëronin të burgosurit, mes tyre dhe një telefon celular. Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, telefoni është hedhur nga qelia përgjatë kontrolleve blic të policisë së burgjeve, në mënyrë që të mos kapej, por efektivët kanë arritur ta zbulojnë. Pasi u sekuestrua, pajisja i është dërguar SPAK për këqyrje dhe ekspertizë.
Gazetarja Hoxha raporton se paraprakisht dyshohet që telefoni i përket Azgan Mërnicës dënuar nga apeli me 35 vjet burgim për akuzën e vrasjes së oficerit Novruz Cenalia në Fier. Dënimi nga burg i përjetshëm i vrasësit të policit të Shqiponjave ka sjellë më herët edhe reagimin e ministrit të brendshëm, ndërsa pas kontrolleve blic ai ka mohuar qe telefoni të jetë i tij. Megjithatë agjencia AMSEVP në ministrinë e drejtësisë po heton për rastin dhe ka dyshime qe telefoni përdorej nga Mernica.
Për këtë shkak janë pyetur edhe forcat operacionale që kanë ushtruar kontrolle në sektorin 3, kati 2, Godina Paraburgim që nuk janë konstatuar sende të ndaluara. Në shkresën që gazetarja Anila Hoxha ka siguruar thuhet se “nga kontrolli në brezin e butë nga brenda regjimit përballe vendrojës 4, poshtë godinës së Paraburgimit, janë gjetur 2 celularë ngjyre të zezë dhe 1 fishë karikimi ngjyrë e bardhë, pa autor”. Jo zyrtarisht oficerët e bllokut të sigurisë kanë pohuar se aparati është hedhur nga qelia ku mbahet Mernica./ Top Channel
