Operacioni i SPAK dhe BKH në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen AKSHI është shtrirë në Tiranë dhe Durrës, ku gjatë ditës janë kryer kontrolle dhe janë ekzekutuar masa sigurie ndaj disa personave.
Mes personave të arrestuar raportohet se është Fatjon Kalluci, me detyrë shef në Laboratorin Shkencor të Policisë. Në pranga është vënë gjithashtu Embro Sulejmani, pronar i një biznesi në Durrës.
Veprimet e hetuesve kanë vijuar edhe në zonën e Shkozetit, ku janë ushtruar kontrolle në kuadër të së njëjtës çështje. Hetimi që lidhet me Ergys Agasin ka përfshirë një numër personash, ndërsa operacioni është zhvilluar paralelisht në disa zona të dy qyteteve.
Më herët gjatë mëngjesit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në disa banesa në kryeqytet. Mes tyre ishin edhe ato të drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si dhe ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kontrolle janë raportuar edhe në banesat e disa ish-zyrtarëve të tjerë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike të gjitha rezultatet e operacionit.
Sipas informacioneve të raportuara deri tani, veprimet hetimore dyshohet se lidhen me materiale dhe komunikime të gjetura në telefonat e Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut.
SPAK dhe BKH po vijojnë veprimet për administrimin e provave dhe sqarimin e rolit të personave të përfshirë në hetim.
