Një operacion i gjerë antidrogë po zhvillohet që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin.

Sipas informacioneve, deri tani janë firmosur të paktën 11 masa sigurie, ndërsa katër të dyshuar të tjerë ndodhen aktualisht në burg. Të gjithë dyshohen si pjesë e një grupi ndërkombëtar të trafikut të kokainës, të zbuluar përmes përgjimeve të platformës Sky ECC.

Katër prej të dyshuarve, përfshirë edhe shtetasin me inicialet E.C., janë njoftuar për masa të reja sigurie në formën e arrestit me burg. Deri në këto momente janë arrestuar tre persona, ndërsa disa të tjerë janë në kërkim.

Operacioni po zhvillohet nën drejtimin e Prokurorit të Posaçëm Vladimir Mara dhe është pjesë e hetimeve të nisura nga SPAK në kuadër të goditjes së grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Hetimet janë ende në vijim, ndërsa priten zhvillime të tjera gjatë ditës.