Pas aksionit të zhvilluar një ditë më parë nga SPAK dhe Antimafia e Barit, ku u ekzekutuan 15 masa siguri, mediat fqinje kanë zbardhur detaje të reja lidhur me vrasjen e Francesco Diviesti-t, ngjarje e cila çoi dhe në goditjen e grupit kriminal.
Francesco Diviesti u vra një vit më parë dhe trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgia-s në Itali. Midis personave nën hetim janë tre autorët e dyshuar të vrasjes, përfshirë autorin e dyshuar: Igli Kamberi, një 41-vjeçar shqiptar i cili kontrollonte dhe menaxhonte tregtinë e drogës “duke përdorur metoda mafioze” në Barletta.
Me të në kohën e krimit ishin dy italianë, një burrë dhe një grua nga Barletta, të cilët dyshohet se ndihmuan në mbulimin e krimit dhe “nuk i raportuan njohuritë e tyre autoriteteve gjyqësore”, shpjegojnë hetuesit. Vrasja e tij erdhi pas një tentative zhvatjeje për një borxh prej 500 eurosh, që më pas zbriti në 300 euro me dhënien me qira të një makine për llogari të 41-vjeçarit Kamberi.
Zëvendësprokurori Giuseppe Gatti, koordinator i DDA-së së Barit, zbuloi gjatë konferencës për shtyp se kundërshtimi i parukjerit italian u pa si fyerje nga ana e Kamberit, gjë që çoi në vrasjen e tij. Ai u shpreh se frika mbetet arma, duke e lidhur me kërcënimin ndaj shokut të të ndjerit. Konkretisht sipas zv.prokurorit, shoku i italianit të vrarë pasi tregoi për tentativën e zhvatjes dhe pas gjetjes së kufomës, u kthye te hetuesit për të tërhequr deklaratat, sepse kishte përmendur emra personash që sipas tij ishin të rrezikshëm. Shkatërrimi i trupit të 26-vjeçarit ishte “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan. Me gjak.
