Detaje të reja kanë dalë në dritë rreth episodit të tensionuar të shpalosjes së banderolës gjigante me mbishkrimin “Ju erdhi fundi” në faqen ballore të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ngjarja, e cila shkaktoi përplasje, nisi si një plan i mirëmenduar nga një grup prej 9 studentësh të fakulteteve të ndryshme.

Për të mos rënë në sy të punonjësve të sigurisë të sigurimit, të rinjtë kanë hyrë në ambientet e universitetit një nga një. Kur janë pyetur nga rojet se ku po shkonin, studentët kanë përdorur si “mbulesë” pretekstin se po futeshin për të realizuar një projekt shkollor. Pasi kanë fituar akses, ata janë ngjitur në katin më të lartë dhe janë futur në një nga klasat që të nxirrte në ballkonin ballor.

Sapo studentët kanë nisur të shpalosin banderolën me mesazhin e fortë, rojet e sigurisë kanë ndërhyrë me shpejtësi duke u kërkuar të ndalonin aksionin dhe të dilnin jashtë. Përballë refuzimit të prerë të të rinjve, situata ka degraduar: roja ka mbyllur derën e klasës me çelës, duke i lënë studentët të bllokuar brenda në ballkon.

Të ndodhur në izolim, studentët kanë njoftuar menjëherë pjesën tjetër të protestuesve që ndodheshin jashtë, të cilët kanë mësyrë me vrap drejt universitetit. Protestuesit kanë arritur të shqyejnë derën e parë të institucionit dhe janë ngjitur me shpejtësi drejt katit të sipërm për të liruar shokët e tyre. Përpara presionit, roja ka hapur derën, duke shmangur një përplasje më të rëndë fizike.

Pas lirimit, ka pasur një moment tjetër tensioni e nxitimi për rreth 15 minuta, pasi banderola kishte rënë në një nga ballkonet e kateve më poshtë. Pasi kanë kontrolluar ambientet dhe e kanë gjetur, studentët e kanë rivendosur atë sërish për pak minuta në ballkonin kryesor dhe më pas e kanë hequr vetë, duke u larguar për t’u bashkuar me pjesën tjetër të marshimit drejt Kryeministrisë. Gjatë gjithë këtij incidenti, në ambientet e Politeknikut kanë qenë të pranishëm vetëm rojet private të sigurisë dhe nuk ka pasur ndërhyrje nga forcat e Policisë së Shtetit.