Mbledhjet e komisioneve parlamentare kanë nisur sot me një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën një ditë më parë, pasi u qëllua me armë zjarri në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërsa ishte në krye të detyrës.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e ka cilësuar vrasjen si një akt kriminal dhe barbar, që kërkon ndëshkim shembullor. Ai theksoi se ngjarja përbën një alarm serioz për sigurinë e punonjësve të sistemit të drejtësisë në vend.
“Dora e krimit u ngrit mbi togat e zeza, duke i marrë jetën një gjyqtari në krye të detyrës. Një akt i rëndë kriminal dhe barbar, që meriton ndëshkimin më të rreptë dhe shembullor të autorëve,” tha Manja.
Ai shtoi se ambienti ku ndodhi vrasja salla e gjyqit duhet të jetë një nga vendet më të sigurta për ata që ushtrojnë funksione publike dhe kërkoi rishikim të menjëhershëm të masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.
“Vrasja e një gjyqtari në një ambient ku presupozohet që është vendi më i sigurt për të ushtruar detyrën, është një kambanë alarmi për të gjithë ne,” u shpreh Manja, ndërsa ftoi anëtarët e komisioneve të mbanin një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Kalaja.