”Në një akt të paprecedentë, një koleksion me 900 shishe verë ekskluzive me vlerë rreth 1 milion euro në pronësi të Ergys Agasit u zhduk pa asnjë gjurmë, ndonëse ishte bllokuar nga hetuesit e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, “Equos Resort” reklamon shërbime luksi, mes të cilave një klub hipizmi, xhiro me kuaj apo sporte ujore për stinët e nxehta të vitit.
Por koleksioni më i vlefshëm fshihej në një qilar brenda resortit.
Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit./ BIRN
