Kisha e Shën Thanasit në fshatin Sinicë të Korçës, një objekt i rrallë kulti i pozicionuar rreth 1,300 metra mbi nivelin e detit, ka rënë pre e një akti vandalizmi.

Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda kishës duke thyer ikona, dëmtuar objekte të shenjta, si dhe duke hedhur çimento në ambientet e saj të brendshme. Ngjarja është denoncuar nga banorët dhe dashamirësit e fshatit, të cilët prej kohësh kujdesen vullnetarisht për mirëmbajtjen e këtij simboli të traditës dhe kulturës vendase. Banorët theksojnë se dëmtimi nuk cenon vetëm një ndërtesë historike, por godet drejtpërdrejt harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, pasi kisha respektohet e nderohet si nga komuniteti i krishterë, ashtu edhe nga ai mysliman i zonës.

Në Sinicë kujtohen mjaft raste kur ky objekt kulti është rindërtuar me kontributin e përbashkët të të gjithë banorëve pa dallim besimi. Pasi e cilësuan aktin si një goditje ndaj historisë së tyre, ata i bënë thirrje autoriteteve të identifikojnë e të nxjerrin përpara drejtësisë përgjegjësit, si dhe të marrin masa të menjëhershme për restaurimin dhe mbrojtjen e kishës.