Pas gati dy vitesh hetime dhe koordinimi, policia zbuloi të hënën tre call center të përfshirë në skema mashtrimi me investime online.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së, Sali Berisha foli për zbulimin e tre ‘call center’ të përfshirë në skema mashtrimi me investime online në Tiranë. Sipas tij janë vjedhur dhe mashtruar pensionistët e vendeve që kanë kontribuar në Shqipëri, ndërsa shtoi se ‘ky aktivitet është i mbrojtur nga shteti’.

“Parlamenti shqiptar ka mbetur vetëm një ‘fiction’ dhe nuk është më një realitet. Parlamenti nuk mbron më interesat e qytetarëve por përdoret në mënyrën më të pamëshirshme kundër shqiptarëve, interesave, pasurive dhe taksave të tyre. Për herë të parë në gjithë ekzistencën e Parlamentit, mandatet e krimit nuk lejojnë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Në qytetet e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë të ethshme një nga veprimtaritë më të egra kriminale, këto ditë në qytetet e Shqipërisë me qindra e qindra të ashtuquajtura Call Center, vjedhin ditë e natë pensionistët e vendeve që kanë kontribute të jashtëzakonshme. Hiena të vërteta nga salla krimi të mbrojtura nga shteti mashtrojnë dhe u grabisin pensionet pensionistëve në Itali, Austri, Gjermani, Spanjë, në një aktivitet fund e krye të mbrojtur nga shteti. Në një aktivitet në të cilin strukturat shtetërore nga polici tek niveli më i lartë janë mburojë”, tha Berisha.