Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër bllokoi edhe 75 tonë të tjerë misër blegtoral, vetëm pak ditë pasi u bllokuan 25 tonë misër nga i njëjti subjekt eksportues, duke e çuar në 100 tonë sasinë totale të ndaluar. Sipas drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi, misri i ardhur nga Serbia është bllokuar në doganën e Hanit të Hotit me qëllim kryerjen e analizave laboratorike, për të përcaktuar nëse ka prezencë të lartë të aflatoksinës B1, një substancë toksike dhe kancerogjene që tejkalon normat e lejuara në Shqipëri.
AKU Shkodër ka bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë rezulton se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë.
Burime nga dogana e Hanit të Hotit bëjnë të ditur për News24 se deri tani janë bllokuar rreth 200 tonë misër, për të cilat do të kryhen analizat përkatëse. Në rast se konfirmohet prania e substancave të ndaluara, këto mallra nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.
AKU po monitoron me kujdes situatën dhe po pret rezultatet e analizave për çdo produkt blegtoral që vjen nga Serbia.
