Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka zbuluar dhe bllokuar në ambientet e një magazine të subjektit “Merja”, një sasi prej 3984 kg produkte të miksuara bimësh të thata, të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketë, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën dhe përbërjen e tyre.
Këto bimë u bllokuan duke mos u lejuar tregtimi i tyre. Në lidhje me këtë, mjeku popullor Ylli Merja ka folur sot në “Shqipëria Live”, duke thënë se është befasuar pasi asnjëherë më parë nuk ka patur probleme gjatë kontrollit të AKU-së.
“Ne kemi një aktivitet të licencuar dhe të ligjëruar që prej vitit 2008. Nuk kam patur asnjëherë probleme. Para disa ditësh bëhet një kontroll nga AKU. Ne kemi mbajtur një sistem të dhënash ku mbanim nën kontroll si fermerët nga merrnim bimët dhe pagesat, ashtu edhe kushtet. Materiali i bimëve medicinale grumbullohet fillimisht, më pas pastrohet dhe kalon në një dhomë tjetër ku ndahet dhe i vendosen etiketat, e më pas seleksionohet. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur bimët janë të miksuara. Nuk e di pse u ndalua. Ndoshta ata duan një etiketë ku shkruhet ‘në gjysmën e prodhimit’. Më parë nuk ma kanë kërkuar. Kontrolli ishte i befasishëm. Ne produktin e blejmë nga fermerët shqiptarë por dhe e importojmë. Importi është me dokumente, ndërkohë tek fermerët vetëm është bimë e egër dhe ne nuk marrim etiketë. Nga ata marrim nipt-in, produkti pastrohet dhe më pas ndahet e përpunohet. Kontrolli i fundit para këtij rasti ishte në vitin 2025. Aty nuk ka asnjë toksinë. Le të shkojmë ta analizojmë. Punonjësit e AKU nuk kanë marrë asnjë kampion. Kanë kërkuar vetëm etiketa, pyetën çfarë çajrash ishin. Unë do e ndjek këtë punë duke marrë mostra dhe duke i dërguar në laborator për të bërë analizën biologjikë për nivelin e toksicitetit. Burrërisht betohem që nëse del diçka e tillë unë mbyll biznesin”- tha ai.
