Shqipëria ka krijuar varësi nga importi i drithërave. Sipas të dhënave nga KLSH-ja, nga viti 2020-2025, në vendin tonë kanë hyrë 2.1 milionë tonë drithëra, ku si vende origjine, 1.5 milionë tonë drithëra kanë Serbinë dhe Rusinë.
Drithërat e importuara duhet të nxirren në treg vetëm nëse plotësojnë kërkesat e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, ku AKU-ja, së bashku me 10 Pikat e Inspektimit Kufitar, duhet të kontrollojë çdo ngarkesë me drithëra që hyn në vendin tonë.
Por auditimi i KLSH-së fakton se laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk analizojnë të gjithë treguesit e sigurisë ushqimore për drithërat. Ekzaminimi i lagështirës dhe aciditetit tregon shumë pak për cilësinë e grurit apo miellit që do të përdorin furrat e bukës.
“Vërehet se gama e treguesve të analizuar mbetet e kufizuar dhe fokusohet kryesisht në parametrat bazë fiziko-kimikë, pa përfshirë analiza më të avancuara që lidhen me kontaminantët kimikë, mbetjet e pesticideve, mykotoksinat apo metalet e rënda”.
Por edhe ato pak tipare që AKU-ja mund të ekzaminojë, mungesa e reagentëve bën që laboratorët të mos qëndrojnë gjithmonë ndezur.
“Në shumë raste, analizat nuk janë kryer për shkak të mungesës së reagentëve, mosfunksionimit të pajisjeve ose mungesës së tyre. Si pasojë, janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme dhe, në disa raste, pamundësi e plotë për kryerjen e analizave mikrobiologjike”.
Por mangësitë e ekzaminimit të drithërave shtrihen edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, të cilat nuk janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për të garantuar kontroll fizik efektiv në lidhje me sigurinë ushqimore në fushën e drithërave.
“Në veçanti, sa i takon situatës në PIK Hani i Hotit, u evidentua se pranë godinës së PIK-ut janë të atashuara tri magazina. Aktualisht, këto ambiente ishin jashtë funksionit. Magazinat në PIK për periudhën 2020-2025, në të gjitha DRAKU-të, nuk kanë qenë të disponueshme për ruajtjen e produkteve”.
Para kësaj situate, kontrolli fizik realizohet në terren të hapur.
“Inspektorët duhet të ngjiten në kamionët me të cilët transportohen drithërat dhe të bëjnë kontroll fizik vizual të mallit, vetëm nga një pozicion specifik i kamionit, pasi nuk kanë mundësi tjetër për të lejuar që kontrolli të bëhet i saktë”.
Mungesa e magazinave në shumë raste e detyron AKU-në të shkelë vetë ligjet e sigurisë ushqimore.
“Në disa raste, produktet që paraqisnin problematika ose që ishin në pritje të analizave laboratorike administroheshin në të njëjtat ambiente me produktet e tjera, pa ndarje fizike dhe pa masa të posaçme sigurie. Kjo situatë rrit ndjeshëm riskun për kontaminim të kryqëzuar dhe cenon seriozisht sigurinë ushqimore”.
Shqiptarët janë të detyruar të ushqehen me miell serb dhe rus, kjo pasi fermerët tanë tokat e bukës i kanë lënë djerrë si pasojë e kostove të larta të prodhimit.
Përballë këtyre kushteve, Shqipëria rrit kërkesën për grurin e huaj, por, nga ana tjetër, AKU-ja duhet të bllokojë në kufi produktin e rrezikshëm. Por, përballë mungesës së laboratorëve dhe magazinave, siguria ushqimore në vendin tonë mbetet vetëm në letra e ligje, por jo në produkt./TCH
