Pas kallëzimit të KLD-së, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet e konferencave për shtyp dhe deklaratave të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në momentet që akuzonte dhe sulmonte gjyqtarin Arian Aliaj, i cili firmosi pezullimin nga detyra të kryepolicit Haki Çako për çështjen e pajisjes përgjuese.
Organi i akuzës ka kërkuar dhe sekuestruar me zë dhe figurë të gjitha pamjet filmike, ku sulmohet gjyqtari Aliaj. Pas vendimit të këtij të fundit, Tahiri për disa ditë me radhë e ka sulmuar dhe akuzuar si një “vrasës dhe përdhunues”.
Por pas apelimit të avokatëve të Çakos, Gjykata e Apelit riktheu në detyrë kreun e Policisë së Shtetit, edhe pse prokuroria më herët kishte hapur një procedim penal në gjendje të lirë ndaj Tahirit. Në këtë mënyrë, prokuroria pritet që brenda pak ditëve të marrë në pyetje ministrin e Brendshëm.
Aliaj dha vendimin për pezullimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako, si dhe arrestin me burg për kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, masë të cilën e ndryshoi tre ditë më vonë në arrest shtëpie.
11 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)