Vendimi


Prokuroria kërkoi 12 vite për ish-bosen e Gjallicës, e cila u dyshua se mashtroi në tre raste


shemsie-kadriaGjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshme Shemsie Kadrinë, ish-bosen e firmës piramidale “Gjallica”, e cila u dyshua se kishte mashtruar në disa raste. Vendimi u dha dje nga gjyqtari Kreshnik Omari, i cili pranoi kërkesën e mbrojtjes për pafajësi. Sipas vendimit, nga shqyrtimi gjyqësor nuk u pranua akuza për mashtrim, pasi marrëdhënia e të pandehurës me të kallëzuarën ka qenë civile, madje e akuzuara ka përmbushur detyrimet e saj dhe u ka dhënë apartamente tre denoncuesve, sipas marrëveshjes paraprake. Më herët, avokati i saj lexoi konkluzionin përfundimtar, ndërsa theksoi se klientja e tij nuk kishte kryer ndonjë vepër penale, aq më pak atë të ngritur nga akuza, të mashtrimit. Sipas tij, hetimet nuk kanë qenë të plota dhe për rrjedhojë kërkoi pafajësi. Një seancë më parë, përfaqësuesi i prokurorisë, Gjergji Tako, kërkoi dënimin me 12 vjet burg për Shemsie Kadrien, për akuzën e “mashtrimit më shumë se një herë me pasoja të rënda”. Sipas organit të akuzës, rezulton e provuar se Kadria ka mashtruar tre persona, të cilëve u ka marrë shuma të konsiderueshme parash në vitin 2008, duke u premtuar apartamente në një firmë ndërtuese që nuk ekzistonte. Në pretencën e prokurorisë citohej se shtetasja E. Kapllani ka paguar 2.134.500 lekë dhe F. Sulkollari ka paguar 2.290.000 lekë dhe 2700 dollarë te shtetasja Shemsie Kadria. Sipas prokurorisë, Shemsie Kadria u ka parashtruar të dëmtuarave realitetin se apartamentet do t’i ndërtonte shoqëria “A&E A…” me administrator nipin e saj, Arben Shllaku. “Ky realitet është i rremë, pasi nga pasqyra financiare të marra nga organet tatimore rezulton se shoqëria në fjalë figuron me përcaktim ‘shoqëria nuk është në aktivitet’”, lexoi prokurori Gjergji Tako në konkluzionet përfundimtare. Referuar prokurorisë, mandatet e arkëtimit që e pandehura u ka dorëzuar dy të dëmtuarave kanë qenë false. “Shemsie Kadria ka krijuar një realitet të rremë përpara të dëmtuarave, pasi ajo u ka dorëzuar mandate arkëtimi për llogari të shoqërisë “A&E A…” plotësisht të falsifikuara. Falsiteti është i provuar nga aktet e ekspertimit. Në këto akte përcaktohet qartazi se shkrimet dhe nënshkrimet në emër të shtetasit Arben Shllaku nuk janë hedhur prej tij, por nëpërmjet shtetases Shemsie Kadria”, thuhej në pretencë. Përcaktimi “realitet i rremë” u pohua nga prokurori edhe për rastin e tretë të mashtrimit, për të cilin akuzohet e pandehura Kadria. “Kallëzuesja F. Kambolli nuk ka marrë asnjë para apo send mbrapsht nga Shemsie Kadria deri më sot. Ajo përcakton se Shemsie Kadria ia ka kërkuar paratë për çështje personale të saj dhe për të marrë një leje ndërtimi, por në fakt Kadria i ka lëshuar deklarata dore në emër të shoqërisë ‘E&A A…’ sikur paratë i merrte kjo shoqëri për një apartament, ndërkohë që realiteti ishte krejt i kundërt. Edhe për këto deklarata dore për këtë kallëzuese u vërtetua se ishin falsifikuar nga Shemsie Kadria”, lexoi prokurori. Në përfundim, prokurori i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh faktin se e pandehura ka normalizuar marrëdhëniet me kallëzueset E. Kapllani dhe F. Suklollari. Kjo për shkak se Kadria u ka vënë atyre në dispozicion një apartament të barabartë me vlerën që ato të dyja i kishin dhënë së bashku, madje, ato i detyrohen shoqërisë ndërtuese edhe një milion lekë. Gjykata, pasi ka dëgjuar palët, vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtjes dhe vendosi pafajësi.


Më herët, Shemsie Kadria ka qenë e dënuar me 17 vite burg për mashtrime me pasoja të rënda ndaj mijëra kreditorëve në shoqërinë “Gjallica”. Ajo është arrestuar në Turqi dhe në vitin 2002 është ekstraduar në Shqipëri. Kadria u lirua në vitin 2007 nëpërmjet një amnistie të dhënë nga Parlamenti i atëhershëm.