Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit dhe 6 muaj burgim Denis Xholin.
Xholi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe ankande publike. Sipas njoftimit, ai është përjashtuar nga administrata dhe funksionet publike për 5 vitet e ardhshme. Gjithashtu dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Denis Xholi, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla i cili u dënua për korrupsion dhe abuzime me tenderat publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës.
Vendimi i GJKKO-së:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e ҫështjes penale që i përket procedimit penal nr. 9, të vitit 2022, me të pandehur Denis Xholi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 61, datë 30.09.2025 vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Denis Xholi, për kryerjen e veprës penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, (para ndryshimeve të pësuara në ligjin 43/2021), e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258 e 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
-Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Denis Xholi për 5 (pesë) vjet.
-Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Denis Xholi do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurit. Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.