Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të dosjes ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, avokatit Çlirim Shahini, si dhe biznesmenëve Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi.

Sipas hetimeve të SPAK, katër të pandehurit akuzohen për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Prokuroria pretendon se ish-prokurori Kledian Llaho ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar persona nën hetim në këmbim të përfitimeve financiare. Në dosje thuhet se një shtetas me inicialet M.A., i hetuar për “shpërdorim detyre” nga Prokuroria e Sarandës, kishte detyrime financiare ndaj vjehrrit të Llahos lidhur me një investim hotelerie.

Sipas SPAK, Llaho i ka kërkuar këtij shtetasi që shumën prej 1.8 milionë lekësh t’ia kthente vjehrrit të tij përmes biznesmenit Vasil Bakalli, duke i premtuar lehtësim të pozitës procedurale.

Në hetime përmendet edhe biznesmeni Pando Papuçi, i cili dyshohet se ka dhënë 30 mijë euro ryshfet për Kledian Llahon dhe Vasil Bakallin me qëllim ndikimin te prokurorja që trajtonte çështjen e tij.

Po ashtu, SPAK pretendon se Papuçi i ka dhënë edhe 25 mijë euro avokatit Çlirim Shahini, pasi ky i fundit i kishte premtuar ndikim te gjyqtarja e çështjes.

Vendimi për kalimin e dosjes për gjykim u mor në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, ndërsa biznesmeni Pando Papuçi ka kërkuar gjykim të shkurtuar.