Një punonjës i Policisë së Shtetit, i cili shërbente në Komisariatin e Kavajës, është arrestuar pas një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit, nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj efektivit me inicialet A.C., në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Durrësit dhe vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 16 nëntor 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, punonjësi ushtronte detyrën në rolin bazë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë dhe dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të funksionit të tij.

Për efektivin po zhvillohen hetime për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 259.

Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim mes Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Durrësit, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar.