Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Azgan Mërnicën, autorin e vrasjes së efektivit të Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenaliaj, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2024.
Mërnica do të përballet me akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë”, “Mbajtjes dhe prodhimit të armëve dhe municioneve” si dhe “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt”.
Sipas hetimeve, më 13 maj 2024, mesditën, viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për mënyrën e parregullt të drejtimit të automjetit, pasi ai kishte hyrë në një kthesë me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar qytetarët.
Pas këtij momenti, i pandehuri ka ndaluar automjetin, ka zbritur me çantën ku mbante armën e zjarrit dhe është afruar tek efektivi i policisë. Ai ka qëlluar drejt tij në fytyrë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Prokuroria ka konfirmuar se viktima në momentin e sulmit ishte i veshur me uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja”.
Çështja tashmë i është referuar gjykatës, ku pritet që autori të përballet me drejtësinë për këtë ngjarje të rëndë.
