Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 29-vjeçarin nga Përrenjasi, Nevzat Spaho, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor në Elbasan.

Gjyqtari Elis Dine pranoi kërkesën e prokurorit Gjergji Ceka për të lënë në qeli Spahon, i cili njihet nga policia për precedentë të rëndë kriminalë. Sipas hetimeve, në gjurmët e tij ka çuar automjeti që u përdor gjatë ekzekutimit të biznesmenit dhe që më pas u gjet i djegur pranë fshatit Morakë në Librazhd. Lidhjet e sakta mes tij dhe viktimës mbeten ende të paqarta.

Më herët, gjykata vendosi “arrest me burg” edhe për Xhino Agon, ortak i Mëhallës, gjithashtu i hetuar si bashkëpunëtor. Edhe pse familjarët e viktimës deklaruan se marrëdhëniet mes dy ortakëve kanë qenë shumë të mira, kjo nuk ka bindur gjyqtarin.

Në burg u la edhe 52-vjeçari Kujtim Pisha, roje në objektin pranë të cilit ndodhi atentati, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Ndërkohë, policia vijon kërkimet për dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka (i njohur si Mondi Mëhalla). Ai u vra me tre plumba në kokë nga një autor i vetëm, i cili u largua me një mjet tip “Audi” drejt Librazhdit.